Çmimet e konsumit – Indeksi i harmonizuar, rritje 2.1% për gushtin
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit regjistroi një rritje vjetore prej 2.1% për muajin gusht, me një rënie të lehtë krahasuar me muajin korrik. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ajo që po vërehet gjatë muajve të fundit është një lloj stabilizimi i rritjes së çmimeve sipër nivelit 2%.
Kjo vlen si për indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit, ashtu edhe për atë të harmonizuar me vendet e Bashkimit Europian. Një vit më parë Shqipëria kishte rritje të çmimeve ndër më të lartët në Europë, ndërsa aktualisht kjo rritje është praktikisht në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Europian.
Grupi i ushqimeve ngelet elementi me ndikimin kryesor në ecurinë e indeksit të harmonizuar të çmimeve, edhe për shkak të peshës më të lartë specifike.
Për gushtin, rritja e indeksit në këtë grup ishte 3.4%, nga 4.2% që kishte qenë për muajin korrik. Grupet e tjera, kryesisht ata që përfshijnë produktet utilitare dhe lëndët djegëse, po japin një kontribut relativisht modest në rritjen e çmimeve.
Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga Instat, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.