Çmimet e naftës, drejt rënies javore – Ndikon inflacioni i lartë në SHBA dhe bisedimet me Iranin!

Nafta është tërhequr në tregtinë e fundit të javës, ndërkohë që inflacioni i lartë ngriti shqetësimet për një tkurrje agresive të politikave monetare dhe ndërkohë që investitorët presin rezultatin e bisedimeve mes SHBA dhe Iranit. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës ra me 0.6% në 90.83 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane ra me 0.5% në 89.43 dollarë për fuçi. Të dy kontratat kryesore në botë pritet të tregojnë rënien e parë javore pas 7 javëve radhazi të fuqizimit, pavarësisht se në sesionin e së Enjtes, prekën nivelin më të lartë në 7 vite.
Analistët thonë se të dhëna e inflacionit kanë vendosur presion tek Rezerva Federale që të veprojë në mënyrë më agresive me rritjen e interesave. Presidenti i Rezervës Federale në St. louis, James Bullard, tha se kërkon një rritje me plotë 1% të normës bazë të interesit deri më 1 Korrik. Investitorët kanë qenë gjithashtu në pritje të bisedimeve mes SHBA dhe Iranit për të rikthyer paktin bërthamor të vitit 2015.
Një dakordësi mes vendeve mund të heqë sanksionet ndaj eksporteve të naftës në Irani, duke zbutur problemet botërore me ofertën. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se negociatat kanë arritur në një pikë urgjente dhe se një marrëveshje që trajton të gjithë shqetësimet bazë, është në horizont. Oferta e tkurrur u bë e dukshme edhe tek inventarët e naftës bruto në SHBA, që ranë papritmas me 4.8 mln fuçi në javën që përfundoi më 4 Shkurt. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) deklaroi se kërkesa botërore për naftë mund të rritet edhe me shpejt se sa pritej këtë vit. Karteli projektoi një rritje me 4.15 milionë fuçi në ditë këtë vit, ndërkohë që ekonomia botërore rimëkëmbet nga pandemia.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.