Çmimet e naftës, drejt rënies javore – Perspektiva e rikthimit të Iranit në treg eklipson tensionet në Ukrainë

Nafta ka zgjeruar humbjet në tregtinë e së Premtes dhe i është drejtuar humbjeve javore, ndërkohë që perspektiva e rritjes së furnizimit me naftë nga Irani, eklipsoi shqetësimet e ndërprerjeve që mund të vijnë, nëse Rusia sulmon Ukrainën. Nafta Brent e Londrës ra me 0.7% në 92.32 dollarë për fuçi, duke vazhduar humbjen prej 1.9% të tregtisë së djeshme. Nafta bruto amerikane (WTI) ra gjithashtu me 0.7% në 91.05 dollarë për fuçi, pas një rënieje me 2% në sesionin e mëparshëm.
Të dy kontratat kryesore të naftës shënuan nivelet më të larta që prej Shtatori 2014 ditën e Hënë, por i janë drejtuar rënies së parë javore në 9 javë, prej progresit në negociata mes Iranit dhe SHBA mbi paktin bërthamor, ç’ka pritet të heqë sanksionet ndaj naftës iraniane. Kjo, do të rikthejë 1 milionë fuçi në ditë të naftës në treg, por afati kohor është ende i paditur. Megjithatë, analistët nuk presin ndonjë rënie të madhe në afat-shkurtër të çmimeve, pavarësisht perspektivës së më shumë nafta nga Irani, ndërkohë që Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, po has vështirësi të arrijë objektivat e prodhimit.
Analistët thonë se tregu është i cënuar ndaj ndërprerjeve në ofertë, duke marrë parasysh se inventarët ndodhen në nivelet më të ulëta në 7 vite. Me kërkesën që po rimëkëmbet, ndërkohë që trafiku ajror dhe në rrugë po rritet, analistët presin që nafta Brent të qëndrojë në vargun 90-100 dollarë për fuçi në afatshkurtër, me nivelin psikologjik prej 100 USD që mund të preket shumë lehtë nëse shtohen tensionet në Ukrainë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.