Çmimet e naftës, në rënie – Investitorët presin vendimet e mbledhjes së OPEC+

Çmimet e naftës ranë të enjten pasi investitorët janë në pritje të një takimi të prodhuesve kryesorë të OPEC+, me disa spekulime se Arabia Saudite mund të rrisë prodhimin e naftës në përgjigje të kërkesës së Shteteve të Bashkuara. Nafta e papërpunuar Brent e Londrës ra 2,07 dollarë, në 114,22 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane e Teksasit Perëndimor ra 2,21 dollarë, në 113,05 dollarë për fuçi.
Ndërsa dalja graduale e Kinës nga bllokimet e rrepta të COVID-19 ka ndihmuar në mbështetjen e çmimeve, spekulimet se Arabia Saudite mund të rrisë prodhimin kanë ndikuar në treg. Arabia Saudite është e përgatitur të rrisë prodhimin e naftës nëse prodhimi i Rusisë bie ndjeshëm për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj saj, raportoi të mërkurën Financial Times, duke cituar burime.
Rritjet e prodhimit e planifikuar për shtatorin, mund të ndodhë që në korrik apo gusht, tha gazeta. Megjithatë, të tjerë presin që OPEC+, një grupim i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe prodhuesve aleatë të lidhur, përfshirë Rusinë, do të mbajë të pandryshuar politikën e tij të prodhimit.
Pesë burime të OPEC+ thanë se OPEC ishte i vendosur t’i përmbahej rritjeve modeste mujore të prodhimit të naftës, pavarësisht se shihte tregje më të shtrënguara globale.
Wall Street Journal raportoi të martën se disa anëtarë të OPEC-ut po konsideronin pezullimin e Rusisë nga plani i rënë dakord i prodhimit, për të lejuar prodhuesit e tjerë të furnizonin ndjeshëm me më shumë naftë të papërpunuar, siç kërkohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.