Çmimet e naftës, në rënie – Për shkak të njoftimeve të përhapjes së COVID në Pekin dhe shqetësimeve për inflacionin

Çmimet e naftës ranë më shumë se 2 dollarë të hënën pasi një shpërthim i rasteve me COVID-19 në Pekin shuan shpresat për një rritje të shpejtë të kërkesës për karburant në Kinë, ndërkohë që shqetësimet për inflacionin global dhe rritjen e ngadaltë ekonomike e goditën më tej tregun.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë 2.3 dollarë, në 119.71 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor arriti në 118.4 dollarë për fuçi, në rënie me 2.27 dollarë. Çmimet ranë pasi zyrtarët kinezë paralajmëruan në fundjavë për një përhapje “të fortë” të COVID-19 në kryeqytet, ku testimi masiv është planifikuar deri të mërkurën.
Të dy kontratat globale të naftës u rritën me më shumë se 1% javën e kaluar pasi të dhënat treguan kërkesë të fortë për naftë në konsumatorin kryesor në botë, Shtetet e Bashkuara, pavarësisht shqetësimeve për inflacionin. Rritja e tyre u ndihmua nga shpresat për një rikthim të konsumit në Kinë, konsumatorin e dytë më të madh global, pasi masat e bllokimit u hoqën nga 1 qershori.
Shqetësimet për rritje të mëtejshme të normave të interesit pas të dhënave të inflacionit në SHBA po rëndojnë gjithashtu tregjet financiare globale. Indeksi i çmimeve të konsumit në SHBA u rrit me 8.6% më shumë se sa pritej muajin e kaluar, në rritjen e tij më të madhe vjetore që nga dhjetori 1981, treguan shifrat zyrtare, duke shuar shpresat se inflacioni kishte arritur kulmin.
Prodhuesit dhe rafineritë e naftës po punojnë me kohë të plotë për të përmbushur kërkesën maksimale të verës, ndërsa tregtarët po vëzhgojnë nga afër çdo ndikim të mundshëm nga mosmarrëveshjet e punës në Libi, Norvegji dhe Korenë e Jugut në eksportet dhe konsumin e naftës.
Për të rritur furnizimet në Perëndim, eksportuesi kryesor Arabia Saudite, planifikon të devijojë një pjesë të naftës së papërpunuar në Europë nga Kina në korrik, thanë tregtarët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.