Çmimet e naftës regjistrojnë rritje – Për shkak të lehtësimit të kufizimeve COVID-19 në Kinë dhe furnizimet e pakta

Çmimet e naftës u rritën të martën si pasojë e një rikuperimi të pritshëm të kërkesës në Kinë, ndërsa ekonomia e dytë më e madhe në botë relakson kufizimet e ashpra të COVID-19 dhe nga dyshimet se një objektiv më i lartë i prodhimit nga OPEC+ do të lehtësonte furnizimin e pakët.
Kontratat e së ardhmes të naftës së papërpunuar Brent në Londër u rritën me 28 cent, në 119.79 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 31 cent, në 118.81 dollarë për fuçi. Pekini dhe qendra tregtare Shangai janë kthyer në normalitet ditët e fundit pas dy muajsh bllokime për të frenuar shpërthimet e variantit Omicron. Ndalimet e trafikut u hoqën dhe restorantet u hapën në shumicën e zonave të Pekinit.
Eksportuesi kryesor i naftës, Arabia Saudite rriti çmimin zyrtar të shitjes së korrikut për naftën e lehtë arabe në Azi me 2,10 dollarë nga qershori në një çmim prej 6,50 dollarësh mbi kuotat e Omanit dhe Dubait.
Javën e kaluar, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët, së bashku të njohur si OPEC+, vendosën të rrisin prodhimin për korrik dhe gusht me 648,000 fuçi në ditë, ose 50% më shumë se sa ishte planifikuar më parë. Megjithatë, shumë anëtarë kanë pak hapësirë për të rritur prodhimin, përfshirë Rusinë, e cila përballet me sanksione perëndimore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.