Çmimet e naftës rikuperojnë humbjet – Mbështeten nga oferta e ulët pasi zbutja e tensioneve në Lindje solli humbje

Nafta ka rikuperuar humbjet në tregtinë e së Mërkurës, pasi ra me mbi 3% në sesionin e kaluar, ndërkohë që investitorët kanë vlerësuar ndikimin e zbutjes së tensioneve mes Rusië dhe Ukrainës, si dhe ofertës së ulët botërore. Nafta Brent e Londrës tregtohej në 93.9 dollarë për fuçi, në rritje me 0.7%, pasi ra me mbi 3.3% kur Rusia lajmëroi një tërheqje të pjesshme të trupave pranë Ukrainës, që nuk janë verifikuar ende nga SHBA.
Nafta Bruto amerikane, u rrit gjithashtu me 0.7%, në 92.71 dollarë për fuçi, pasi e mbylli tregtinë e djeshme në rënie me 3.6%. Të dy kontratat kryesore në botë, prekën nivelin më të lartë që prej Shtatorit 2014 ditën e Hënë. Nafta Brent ka shtuar 50% të vlerës për vitin 2021, ndërsa nafta bruto amerikane është rritur me rreth 60%, prej rimëkëmbjes së kërkesës nga pandemia, që kufizoi ofertën.
Lajmërimi i Moskës për një tërheqje të pjesshme të trupave nga Ukraina u prit me skepticizëm, ndërkohë që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden paralajmëroi se mbi 150,000 trupa ndodhen ende pranë kufijëve. Megjithatë, përtej tensioneve me Ukrainën, tregu i naftës qëndron i tkurrur çmimet janë ende në kurs për t’u rritur drejt 100 dollarë për fuçi, sipas analistëve.
Ndërkohë që tensionet në Ukrainë u zbutën, Departamenti i Punës në SHBA raportoi se çmimet e prodhimit janë rritur në nivelin më të lartë në 8 muaj gjatë Janarit, duke rikujtuar investitorët se inflacioni i lartë mund të vazhdojë përgjatë pjesës më të madhe të vitit. Investitorët presin edhe të dhënat javore mbi inventarët e naftës në SHBA, që janë një tregues i kërkesës, me analistët që presin një rënie me 1.5 mln fuçi në javën e kaluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.