Çmimet e naftës “tërhiqen” lehtë – Investitorët mbyllin pozicionet. OPEC+ mban premtimin e rritjes së prodhimit
Nafta është tërhequr në tregtinë e së Enjtes, pas të dhënave të dobëta mbi pagat në SHBA dhe prej mbylljes së pozicioneve nga investitorët për të marrë fitim. Megjithatë, humbjet janë limituar prej ofertës së tkurrur, ndërkohë që OPEC+ mbajti premtimin për rritje graduale të prodhimit. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, ra me 0.2% në 89.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane, ra me 0.4% në 87.94 dollarë për fuçi. Pagat private në SHBA ranë për të parën herë në 1 vit gjatë janarit, duke rritur rrezikun e një rënieje në punësim, ç’ka mund të godasë përkohësisht tregun e punës.
Megjithatë, oferta botërore e tkurrur dhe tensionet gjeopolitike në Lindje të Europës dhe Lindjen e Mesme, kanë nxitur çmimet me rreth 15% deri më tani për vitin. Në javën e kaluar, të dy çmimet referencë shënuan nivelet më të larta që prej Tetorit 2014. Çmimet e naftës u përballën me presione edhe në ditën e Mërkurë, kur ministri i naftës në Iran theksoi se vendi është gati të rikthehet në treg sa më shpejtë të jetë e mundur. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, së bashku me aleatë si Rusia, që njihen si OPEC+, ranë dakord për rritje të moderuar prej 400,000 fuçi në ditë të prodhimit. Karteli ndërkohë, ka hasur vështirësi të rrisë prodhimin drejt objektivit të rënë dakord. Inventarët e naftës në SHBA ranë me 1 milionë fuçi në javën e kaluar, sipas administratës së informacionit mbi Energjinë, kundër projeksioneve për një rritje, duke ofruar mbështetje në anën e kërkesës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.