Çmimet e naftës vijojnë rënien – Investitorët, të shqetësuar për rreziqet e recesionit

Çmimet e naftës vazhduan të ulen të enjten pasi investitorët rivlerësuan rreziqet e recesionit dhe ndikimin e rritjes së normave të interesit në ekonomitë kryesore në kërkesën për karburant. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor ranë me 1.4 dollarë, në 104.78 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë 1.3 dollarë, në 110.40 dollarë për fuçi.
Investitorët po vazhdojnë të vlerësojnë shqetësimet për bankat qendrore që potencialisht e shtyjnë ekonominë botërore në recesion, ndërsa përpiqen të frenojnë inflacionin me rritje të normave të interesit.
Shefi i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell, deklaroi se banka qendrore nuk po përpiqej të krijonte një recesion për të ndaluar inflacionin, por ishte plotësisht e përkushtuar për të vënë çmimet nën kontroll edhe nëse një gjë e tillë rrezikonte një rënie ekonomike.
Një ditë më parë, presidenti Vladimir Putin tha se Rusia ishte në procesin e ndryshimit të tregtisë dhe eksporteve të naftës drejt vendeve nga grupi BRICS i ekonomive në zhvillim, pas sanksioneve perëndimore.
Gjithashtu raportohet se India po ofron certifikim sigurie për dhjetëra anije të menaxhuara nga një degë e grupit më të lartë të transportit rus Sovcomflot, duke mundësuar eksportet e naftës në Indi dhe gjetkë pasi certifikuesit perëndimorë tërhoqën shërbimet e tyre për shkak të sanksioneve globale kundër Moskës.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje Kongresit që të miratojë një pezullim tre-mujor të taksës federale të benzinës për të ndihmuar në frenimin e çmimeve rekord dhe për të ofruar lehtësim të përkohshëm për familjet amerikane këtë verë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.