Çmimet e naftës, zbritje me “pikatore” – Rënia në bursat ndërkombëtare të enjten në Shqipëri u reflektua deri në 6 lekë/litër

Ditën e Enjte, tregjet me pakicë të naftës kanë treguar një rënie të lehtë në krahasim me një ditë më parë. Disa nga tabelat e çmimeve tregonin rënie me 6 lekë, disa me 4 lekë, ndërsa të tjera, nuk reflektuan ndryshim fare, ndërkohë që në tregjet ndërkombëtar, rënia ka qenë e madhe.
Nafta është rritur ndjeshëm në ditët e fundit në tregun Shqiptar, duke ndjekur sulmin rus në Ukrainë dhe rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare, ku në tregun e naftës, referencë është ajo e Londrës dhe amerikane. Rritja më e theksuar ishte ajo e ditës së Shtunë në mëngjes, ku konsumatori shqiptar u zgjua me çmime në 230 -239 lekë për litër, që nuk ishin vëzhguar ndonjëherë.
Atëherë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, flitej se do të ndalonin importet e naftës nga Rusia, në kundërpërgjigje të luftës në Ukrainë, përveç sanksioneve dërrmuese ekonomike, që kishin frikësuar tregtarët për të bërë marrëveshje për naftën ruse.
Duke qenë se Rusia është eksportuesi më i madh në botë i naftës, duke dërguar mbi 7 milionë fuçi në vendet në botë, dhe ndërsa inventarët ndodhen në nivele të ulëta edhe për shkak të rimëkëmbjes së fortë nga pandemia, tregu i naftës është tejet i cënuar nga ndërprerja e furnizimeve nga Rusia.
Ndërkohë, nafta në tregjet ndërkombëtarë , ka pësuar rënie të madhe në të Mërkurën në mbrëmje, me çmimet që humbën rreth 14%, që është edhe rënia më e madhe ditore në thuajse 2 vite. Nafta Brent, çmimi referencë në bursën e Londrës, për dërgesë në muajin Maj, e nisi tregtinë ditën e Enjte në 112.65 dollarë për fuçi. Kjo shifër, është poshtë nivelit të së Premtes së kaluar, ku tregtia nisi me 118.1 dollarë për fuçi, që është një ditë më parë se çmimet të rriteshin ndjeshëm edhe në tregun Shqiptar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.