Çmimet e prodhimit/Bien përsëri, pas tre vjetësh
Indeksi i çmimeve të prodhimit frenoi edhe më shumë në tremujorin e parë të këtij viti, duke u rikthyer sërish në territor negativ. Sipas Instat, çmimet e prodhimit ranë me 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është rënia e parë vjetore e çmimeve të prodhimit që prej mesit të vitit 2016.
Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të tregtimit ose e thënë ndryshe çmimin me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit. Rënia e çmimeve të prodhimit është në linjë edhe me uljen drastike të çmimeve të konsumit në tremujorin e parë të vitit.
Banka e Shqipërisë e ka shpjeguar këtë dobësim drastik të çmimeve kryesisht me efektin e kursit të këmbimit. Mbiçmimi i lekut ndaj euros duket të ketë ulur kostot e industrisë përpunuese dhe, rrjedhimisht, edhe çmimet e prodhimit.
Pikërisht industria përpunuese dha efektin kryesor, me një rënie të çmimeve me 0.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018. Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, rënia e indeksit të çmimeve të prodhimit ishte edhe më e forte, me 1.9%. Ndërkohë, edhe në industrinë nxjerrëse indeksi i çmimeve të prodhimit ra me 0.1%, ndërkohë që vitin e kaluar kishte shfaqur një tendencë të fortë në rritje.
Banka e Shqipërisë parashikon që efekti i lekut të fortë te çmimet në tregun vendas do të arrijë pikun në mesin e këtij viti dhe pritet të zbehet gradualisht. Megjithatë, në muajt e fundit leku po shfaq sërish tendencë mbiçmimi kundrejt euros. Nëse forcimi i monedhës vendase do të vazhdojë gjatë muajve të verës, kjo mund të ketë ndikim në ecurinë e çmimeve të prodhimit dhe konsumit edhe për tremujorët në vazhdim.
Indeksi i çmimeve të prodhimit është një tregues i rëndësishëm orientues për inflacionin. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje do të përcillet edhe në çmimet finale të konsumit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.