Çmimet e prodhimit – Rritje rekord nga shtrenjtimi i naftës

Indeksi i çmimeve të prodhimit regjistroi një rritje rekord në tremujorin e parë të vitit, falë rritjes së çmimeve në industrinë nxjerrëse. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, çmimet e prodhimit u rritën me 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Indeksi ishte kthyer në një rritje të lehtë pozitive që në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pas dy vitesh radhazi në rënie. Sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 24.3% për industrinë nxjerrëse, ndërsa specifikisht për sektorin e nxjerrjes së naftës rritja ishte 37.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shtrenjtimi i naftës bruto ishte komponenti më përcaktues në rritjen e indeksit agregat të çmimeve të prodhimit. Jo rastësisht, rritja më e lartë e çmimeve të prodhimit erdhi pikërisht në mallrat e destinuara për eksport, me 10.8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Edhe çmimet e prodhimit për tregun vendas u rritën, por në përmasa më modeste, me 2.8% krahasuar me një vit më parë. Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit dhe ecuria e tyre është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të bizneseve.
Një rritje e çmimeve të prodhimit nënkupton më shumë stimuj të ndërmarrjeve për të rritur prodhimin, punësimin dhe pagat. Rritja e çmimeve të prodhimit sinjalizon edhe një tendencë drejt rritjes së çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.