Çmimet e prodhimit – U rritën me vetëm 1% në tremujorin I
Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 1% në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, rritja është përgjysmuar krahasuar tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kur kishte qenë 2%.
Pasi shfaqi një tendencë në rritje gjatë vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit ka rënë ndjeshëm në fillim të këtij viti, duke paralajmëruar një ulje të presioneve inflacioniste në ekonomi.
Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit, ndaj jep një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.
Mund të supozohet se frenimi në tremujorin e parë të vitit lidhet me uljen e kostove të prodhimit për shkak të forcimin të lekut në kursin e këmbimit valutor. Industria përpunuese përgjithësisht punon me lëndë të parë të importuar dhe leku më i fortë mund të ketë ndikuar në uljen e kostove.
Sipas INSTAT, çmimet e prodhimit për tremujorin e parë u rritën vetëm për industrinë nxjerrëse, me 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për sa i takon industrisë përpunuese, sektorit që mban edhe më shumë peshë në prodhim, çmimet pësuan rënie vjetore me 0.5%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.