Çmimet në Kosovë, pica shënon rekord – Ajo familjare tashmë kushton 18 euro!

Rritja e cmimeve në Kosovë nuk ka ‘kursyer’ as ushqimet e thjeshta duke shënuar rekorde të çuditshme. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat në vend, aktualisht mund të konsiderohesh një njeri i pasur nëse porosit një picë familjare. Kjo pasi nga 14 euro që ishte dikur, cmimi i picës familjare ka shkuar deri në 18 euro.
Rritjes së çmimeve nuk i kanë shpëtuar as picat e përmasave të tjera dhe shijeve të ndryshme. Pica me përmasa vetëm 20 centimetra, kushton 2 euro e gjysmë. Pica që dikur llogaritej si e madhe dhe kushtonte 5 euro, tani do të kushtojë rreth 8.5 euro.
Rritja e çmimeve në vend, bëhet dhe më e dukshme sidomos këto ditë kur pritet ardhja masive e diasporës.
Por nga ana tjetër në vend është shënuar një rritje e re dhe e cmimit të naftës dhe gazit.
Ministria e Industrisë dhe Tregtisë ka publikuar çmimet “tavan” të karburanteve, sipas të cilave çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.86 cent për litër, ai i benzinës 1.74 cent për litër dhe çmimi maksimal i lejuar i gazit 0.78 cent për litër.
Këto cmime vlejnë për datën 28.06.2022 prej orës 10:00 dhe do të jenë në fuqi për 24 orë nga data e publikimit. Një ditë më parë çmimi i naftës ishte 1 cent më lirë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.