Çmimi i bukës arrin 100 lekë! – Shtrenjtohet mielli, “gjunjëzohen” konsumatorët!
Furrat e bukës në vend kanë rritur në mënyrë të detyruar çmimet, ku buka masive tashmë kushton 100 lekë! Çmimet kanë lëvizur mesatarisht nga 10-20 lekë për secilin produkt, ndërsa buka e fshatit tregtohet me 150 lekë.
Qytetarët po përballen me një rritje të shpejtë dhe të pandalshme të çmimeve çka po vë në vështirësi konsumin dhe ekonomitë familjare.
Të kontaktuar nga TV SCAN, fabrikat e miellit shprehen se me bllokimin e importit nga Rusia, është tentuar të gjenden tregje të reja dhe deri më tani është blerë grurë nga Serbia, i cili kushton 150 euro më shumë për ton.
Kjo ka bërë që çmimi i miellit në treg të rritet dhe rrjedhimisht edhe i bukës. Faktorë për rritjen e çmimit të miellit janë nafta e cila nuk po njeh kthim pas, transporti më i kushtueshëm, kursi i këmbimit dhe energjia elektrike.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.