Çmimi i energjisë për bizneset – Pas shifrave rekord për tregun e liberalizuar, në dhjetor shënohet rënie
Bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie e që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit po përballen me çmime tejet të larta për sigurimin e energjisë. Megjithatë, për muajin dhjetor ky çmim shënoi një tendencë në rënie, pas disa muajsh që ishte vetëm në rritje. Sipas të dhënave zyrtare, për dhjetorin ky çmim arrit I në 31.73 lekë/ kwh, nga apo 7 lekë më pak se muaji nëntor, kur ky çmim arrit rekordin prej 38.73 lekë/kwh. Kjo rënie e çmimit ishte e pritshme, duke qenë se të dhënat nga OSHEE tregonin se energjia në tregun e parregulluar për këtë muaj u ble pak më lirë se muajt e mëparshëm.
Kjo, pasi çmimi me të cilin blihet energjia në tregun e parregulluar, është një prej elementëve përbërës të formulës me të cilën llogaritje çmimi i shitjes së energjisë elektrike të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Nga ky çmim preken bizneset e lidhur në tensionin 35 KV, që vijojnë të furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Ndërkohë që, kjo situatë do të impaktonte edhe bizneset e lidhur në tensionin 20 KV, që prej 1 janarit 2022 do të duhej të dilnin në tregun e liberalizuar.
Por, pikërisht për shkak të situatës me çmimet e larta, në ditët e fundit të muajit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi një shtyrje të këtij detyrimi edhe me 6 muaj, ndonëse procesi shtyhet prej vitesh. Deri në muajin qershor të vitit të kaluar çmimi i energjisë për këtë kategori arrinte mesatarisht në 10.5 lekë/këh,ndërkohë që sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, tendenca në rritje e çmimeve ka nisur që prej muajit korrik, për të arritur rekordin në muajin nëntor të vitit që sapo lamë pas.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.