Çmimi i grurit dhe misrit, sërish në rënie – Bisedimet për armëpushim rrisin shpresat se Deti i Zi mund të rinisë tregtinë
Çmimi i grurit në bursë është tregtuar në rënie ditën e Mërkurë, ndërkohë që zyrtarët ukrainas dhanë një vlerësim optimist për bisedimet me Rusinë, duke rritur shpresat se rajoni i Detit të Zi mund të rihapet së shpejti për eksporte.
Soja u rrit prej çmimeve të vajrave për ushqim dhe ndërkohë që tregu monitoroi me detaje thatësirën në Amerikën e Jugut, ç’ka nxiti shqetësime për ofertën.
Kontrata më aktive e grurit në bursën e lëndëve të para në Chicago (CBOT0, Wv1, ra me 0.24% në 11.51 dollarë për shinik, pasi u rrit me mbi 5% në tregtinë e djeshme.
Analistët thonë se Ukraina dhe Rusia po mbajnë një sasi gjigante të inventarit të drithrave dhe sa të përfundojë lufta, ky stok do të jetë i disponueshëm për dërgesa.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha se bisedimet për paqe po duken gjithnjë e më realiste, por shtoi se do të duhet më shumë kohë.
Ukraina mund të mbjellë 4.7 milionë më pak hektarë këtë Pranverë, një rënie me 39% , për shkak të sulmit rus, sipas firmës së konsulencës për bujqësinë APK-Inform.
Misri ra me 0.46% në 7.54 dollarë për shinik, ndërsa soja u rrit me 0.63% në 16.69 dollarë/shinik.
Çmimi i sojës ka marrë nxitje nga rritja e kërkesës për vajrat për ushqim dhe prej pritshmërive të rënies së prodhimit në Amerikën e Jugut, si pasojë e thatësirave.
Kufizimet e vendosura nga Kina për të përmbajtur vatrën e re të Covid atje, mund të limitojë importet e misrit dhe sojës në afat-shkurtër, sipas analistëve. Kina është blerësi kryesor i drithërave në botë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.