Çmimi i shtrenjtë i karburanteve – Qytetarët në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga pushimet e shkurtra

Rritja e vazhdueshme e cmimeve të karburanteve ka bërë që qytetarët në Maqedoninë e Veriut të planifikojnë pushime më të gjata në qendrat turistike të vendit apo në destinacione të tjera në vendet fqinje. Ndryshe nga vitet e fundit kur pushimi ndahej në tre ose katër periudha.
Sipas sondazheve në vend shumë qytetarë shprehen se nuk do të mund të vizitojnë destinacione të ndryshme por do të duhet të zgjedhin një vend të vetëm, dhe mundësisht që të jetë në një distancë sa më të afërt. Një gjë e tillë do të mundësonte dhe kursimin për sa i përket karburantit dhe kostos së transportit.
Sipas llogaritjeve të Radios Evropës së Lirë, për të shkuar nga Shkupi në Ohër, afërsisht për 360 kilometra vajtje-ardhje, nevojiten 3 mijë e 520 denarë – 57 euro – rreth 20 euro më shumë, krahasuar me një vit më parë.
Ata qytetarë të cilët një vit më parë zgjodhën Malin e Zi dhe nuk duan të heqin dorë, këtë vit nuk do të shkojnë me automjetin e tyre por me autobus, pasi vetëm karburanti për rrugën kushton rreth 130 euro.
Marija Sotirovska, pensioniste, thotë se më herët me të shoqin gjatë verës pothuajse çdo fundjavë kanë shkuar në shtëpiza në fshatrat përreth Liqenit të Mavrovës, por këtë vit, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve, preferojnë të qëndrojnë më gjatë.
Agjencitë turistike në Maqedoninë e veriut konfirmojnë se është rritur interesimi i qytetarëve për ofertat veçanërisht për në Turqi, pas zhvlerësimit të lirës turke kundrejt dollarit amerikan. Kërkesa më të shumta ka për ofertat që mbulojnë dhe transportin. Më të moshuarit preferojnë transport të organizuar me autobus, kurse më të rinjtë zgjedhin automjetet private.
Përgjatë kësaj jave nafta e papërpunuar për një fuçi ka shënuar rënie në bursat ndërkombërare për shtatë dollarë, por çmimi i këtij produkti në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje dy herë brenda javës që lamë pas, duke u barazuar me benzinën, apo rreth 1.80 euro për litër.
Në bazë të të dhënave të Agjencisë Europiane për Statistika, Eurostat, pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut përdorin automjete me naftë, rreth 53%, 44% me benzinë dhe vetëm 3% kanë automjete me gaz. Numri i qytetarëve që përdorin automjete elektrike është pothuajse i papërfillshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.