Ç’mund të presim nga debati presidencial Trump – Biden?
Jemi një javë larg nga debatet presidenciale dhe spikeri i Fox News Chris Wallace, i cili do të moderojë raundin e parë, tani ka publikuar disa çështje të mundshme: Regjistrat e Trump dhe Biden, Gjykata e Lartë, Covid-19, Ekonomia, Dhuna në SHBA, Integriteti i Zgjedhjeve. Pra, është koha për debatin kryesor të zgjedhjeve të përgjithshme të këtij cikli.
Si fillim, debatet zakonisht nuk kanë një efekt të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve. Kjo nuk është diçka që duhet të ngjallë habi. Votuesit janë partizanë dhe tashmë kanë vendosur të mbështesin kandidatin e partisë së tyre. Shumica e votuesve të pavendosur deri tani janë ata që zakonisht nuk i kushtojnë shumë vëmendje politikës, dhe vështirë se dikush prej tyre do të shikojë debatet.
Por kjo nuk do të thotë që debatet janë të pavlera. Fillimisht, ato tani janë rituale të gjata të demokracisë amerikane. Sigurisht, janë rituale të çuditshme; nuk ka ndonjë arsye të veçantë që aftësitë debutuese të kandidatit të vendosin dhe aftësinë e tij për të qeverisur. Debatet nënkuptojnë gjithashtu një politikë mitike (në të cilën votuesit kanë mendime të forta në lidhje me pyetje të ndryshme të politikave publike dhe duhet të përputhin pozicionet e tyre me ato të një kandidati) që i hipën në kurriz politikës së botës reale (në të cilën njerëzit identifikohen me grupe të caktuara politike, gravitojnë drejt partisë që ato grupe mbështesin dhe më pas miratojnë pozicionet e asaj partie). Sidoqoftë, debati i barabartë i kandidatëve para njerëzve dhe pyetjet nga media e pavarur nuk është një gjë e keqe sa për demokracinë.
Debatet janë gjithashtu një pjesë e dobishme e procesit zgjedhor sepse kandidatët garojnë duke u dhënë premtime votuesve dhe premtimet e profilit të lartë priren të kenë më shumë rëndësi. Premtimet nuk kanë të bëjnë vetëm me pozicionet e politikave; ata kanë të bëjnë gjithashtu me mënyrën se si një kandidat do të qeverisë dhe mënyrat se si ai ose ajo do të përfaqësojë kombin.
Moderatorët më të mirë të debatit zakonisht bëjnë pyetje “të lehta” – Cilat janë planet tuaja për të kontrolluar pandeminë? Cila është politika juaj për Kinën? – dhe pastaj tërhiqen për t’i lënë kandidatët të zgjedhin vet se ku duan ta çojnë bisedën. Në përgjithësi, debatet s’janë momenti për pyetje “të vështira”, veçanërisht pyetjet në të cilat moderatori përpiqet të detyrojë një kandidat të shpjegojë një premtim të papritur ose kontradiktor. Kandidatët mund të sjellin gjëra të tilla për kundërshtarët e tyre, por moderatori është zakonisht në një pozicion më neutral, duke sjellë tema të përgjithshme, dhe duke u lënë kandidatëve të sulmojnë nëse ata zgjedhin këtë si strategji të tyre.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Bloomberg Opinion
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.