Coeure flet hapur – “BQE do të lëvizë ngadalë, por qeveritë të bëhen gati”
Rimëkëmbja në Eurozonë po merr vrull, por inflacioni bazë vijon të mbetet i dobët, e për këtë arsye Banka Qendrore Europiane duhet të rregullojë politikat e saj monetare me kujdes dhe gradualisht, duke shmangur tërmetin në tregje, deklaroi anëtari i bordit të bankës, Benoit Coeure.
Sipas tij, institucioni tashmë e ka filluar këtë rrugëtim dhe nuk ka asnjë arsye se përse duhet ta ndryshojë.
Disa ditë më parë, fjala e Mario Draghit që u interpretua si një hapje dere ndaj shtrëngimit të politikave monetare, rriti ndjeshëm euron dhe yieldet qeveritare të zonës së monedhës së përbashkët.
Tregjet tashmë presin një sinjal të qartë për zhbërjen e programit të lehtësimit sasior, jo më vonë se Shtatori i këtij viti. Sinjali i parë mund të vijë që në takimin e korrikut.
“Në rast se do të nevojitet, bordi i bankës do të vijojë të rregullojë mjetet monetare si në sasi ashtu edhe në cilësi”, shtoi një prej zërave më të fuqishëm brenda institucionit për të përditshmen franceze “Le Monde” dhe italianen “La Stampa” në një intervistë të përbashkët.
Ndër të tjera ai i bëri apel qeverive të Eurozonës që të kenë kujdes dhe të bëhen gati, pasi huamarrjes me kosto të lirë po i vjen fundi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.