Conte ndal bisedimet për kontratën me Chelsea – Interi shpreson
Trajneri i Chelsea-t, Antonio Conte ka ndërprerë bisedimet me klubin për rinovimin e kontratës.
Tani pyetja është: a mundet Conte të lërë londinezët e të pranojë ofertën e Interit?” E kjo pyetje qarkullon që kur grupi kinez i Sunning mori drejtimin e shoqërisë zikaltër.
Motivimi i trajnerit italian për këtë shtyrje bisedimesh është që ai dhe lojtarët të fokusohen për të fituar Premier Ligën, e ndaj çdo gjë që ka të bëjë me kontratat duhet të shtyhet pas përfundimit të sezonit.
Gjithsesi kontrata e Contes përfundon në 2019-ën, ose 26 muaj më vonë, por Chelsea kërkon ta zgjasë qëndrimin e tij deri në vitin 2021, së bashku me një rritje rroge.
Ndërkohë, zërat pranë trajnerit thonë se ai kërkon të hyjë në bisedime me titullin në xhep, në mënyrë që të ketë më tepër fuqi në tratativa.
Por ëndrra që shpresojnë të gjithë interistët nuk është kaq e parealizueshme. Conte do të bindej për t’u kthyer në Itali, vetëm në rast të një oferte faraonike dhe përforcime me lojtarë të kalibrit botëror. Kështu ai dhe Interi do t’i hapnin sfidë Juventusit, ish-klubit të trajnerit.
Qëndrimi në Itali do të lumturonte edhe familjen e trajnerit, e cila duhet të transferohet në verë në Londër dhe të regjistrojë fëmijët në shkollë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.