“COVAX po bën progress”, OBSH: Sfidat po tejkalohen nga solidariteti i vendeve anëtare
Konsorciumi botëror i vaksinës, COVAX, i bashkëdrejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me partnerë të tjerë, po bën progress në planin për të shpërndarë në mënyrë të barabartë vaksinat e koronavirusit, duke mos lënë asnjë vend pas. Zëdhënësja e Organizatës, Margaret ann Harris, foli për progresin e fundit të programit Covax, duke thënë se janë ndërtuar njësi në mënyrë që çdo vend të ketë akses. Sipas saj janë siguruar marrëveshje për rreth 2 miliardë doza për botën, por shtoi se duhen fonde në mënyrë urgjente.
“Kemi urgjent nevojë për fonde, na duhen 4.8 miliardë dollarë që të sigurojmë pagesën e vaksinave. Por tashmë kemi besim se do të mund të ofrojmë vaksina për vende që zakonisht nuk do të kishin akses. Ne presim që do të ndodhë në muajt e para të vitit 2021, por nuk kemi një datë specifike për të gjithë vendet.”
Harris tha se programi COVAX është përballur me shumë sfida, por me solidaritetin e krijuar nga vendet pjesëmarrëse, sfidat po tejkalohen një nga një. Sipas saj, problem më i madh ka qenë financimi, pasi fillimisht, mendohej se disa vende nuk do të bashkoheshin. Megjithatë, ajo shtoi se shumica e shteteve në botë janë bashkuar dhe janë mbuluar mbi 90% e popullsisë së vendeve që janë pjesëmarrëse. Harris tha se sfida e radhës do të jetë shpërndarja e vaksinës, që shumë ekspertë kanë thënë se do jetë thuajse e pamundur.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.