Covid-19 do prekë investimet e huaja – Raporti i OKB sinjalizon rënie të investimeve në Shqipëri
Gati 1/3 e investimeve të huaja direkte në vendin tonë janë riinvestim i fitimeve, thotë raporti më i fundit global i investimeve i publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Raporti nënvizon faktin se, ekonomitë në tranzicion, mes të cilave renditet edhe vendi ynë, do të vuajnë ndjeshëm efektin e covid-19 në fluksin e investimeve të huaja.
“Vende të ndryshme të Europës jug-lindore do të ndikohen si rrjedhojë e ekspozimit të gjerë ndaj turizmit dhe industrisë akomoduese”-thuhet ndër të tjera në raport. “Në vendet në tranzicion, fitimet e riinvestuara, pashmangshmërisht do të reflektojnë rezultatet negative të vitit 2020”-vijon më tej raporti.
Sa i përket shifrave, raporti tregon se, fluksi hyrës i investimeve të huaja direkte në vendin tonë ka mbetur thuajse i njëjtë me vitin paraardhës, në rreth $1.2 miliardë, në rënie shumë të lehtë, ndërsa sa i përket fluksit dalës, rritja është e ndjeshme, pasi në 2019-ën u ngjit në $127 milion, nga rreth $83 milion të vitit paraardhës. Sa i përket stokut të investimeve të huaja direkte në vendin tonë, raporti e vlerëson në rreth $8.8 miliard.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.