COVID/ Pse Italia po ndërton 1.500 pavijone prej druri me simbol luleje?
Qindra pavijone prej druri të vaksinimit do të instalohen në Itali, me një grafik lulesh që simbolizon rigjenerimin. Procesi është parashikuar të fillojë në janar të vitit 2021, për imunizimin e popullit me vaksinën COVID – 19.
Projektimet për stacionet u zbuluan të hënën nga arkitekti Stefano Boeri, i cili së bashku me një ekip këshilltarësh, zhvilloi logon dhe aspektet vizuale të përhapjes së vaksinave në vend.
Një total prej 1.500 pavijonesh të përkohshëm do të vendosen në sheshet dhe qendrat e qytetit të Italisë, sipas konfirmimit nga studioja e Boeri-t.
Boeri tha ndër të tjera se arkitektura është projektuar për të “përcjellë një simbol të qetësisë dhe rigjenerimit”.
“Vaksinimi do të jetë një akt i përgjegjësisë qytetare, dashurisë për të tjerët dhe rizbulimit të jetës. Nëse ky virus na ka mbyllur në spitale dhe shtëpi, vaksina do të na kthejë në kontakt me jetën dhe natyrën që na rrethon” shtoi Boeri.
Boeri është një nga arkitektët më të njohur të Italisë, i famshëm për ndërtesën e tij “Il Bosco Verticale”, ose “Pylli Vertikal”. E gjithë fasada e së ndërtesës është e mbushur me pemë të gjalla dhe gjelbërim.
Sipas studios së arkitektit, Boeri ka punuar falas për projektin e vaksinimit. Më shumë se 65.000 vdekje nga koronavirurit janë regjistruar në Itali, sipas shifrave të mbledhura nga Universiteti “Johns Hopkins”, duke tejkaluar Mbretërinë e Bashkuar për numrin më të lartë të vdekjeve në Europë.
Një trend i vogël por i dukshëm i skepticizmit të vaksinave në Itali, ka shqetësuar shkencëtarët për disa vjet. Në vitin 2018 qeveria e vendit pezulloi vaksinimet e detyrueshme për nxënësit e shkollave italiane.
Burimi origjinal: CNN
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.