Credins, 3-mujori I në rritje – Asetet u zgjeruan me 12%, depozitat me 16%
Credins Bank ka publikuar treguesit financiarë të tremujorit të parë të këtij viti, që treguan një vijimësi të rritjes me ritme të kënaqshme.
Në fund të marsit, totali i aktiveve arriti vlerën e afro 203 miliardë lekëve ose rreth 1.6 miliardë eurove. Që nga fillimi i vitit, aktivet e bankës janë shtuar me rreth 10 miliardë lekë, ndërsa rritja vjetore ishte afërsisht 12%, në nivele ndjeshëm më të larta në raport me mesataren e sistemit. Po të krahasojmë bilancin me një vit më parë, duket se Credins po lëviz drejt një diversifikimi të strukturës së aktiveve, duke rritur peshën e investimeve me rrezik të ulët, kryesisht të letrave me vlerë.
Portofoli i bonove dhe obligacioneve arriti në afro 39 miliardë lekë, në rritje me 71% krahasuar me marsin e vitit 2018. Credins historikisht ka qenë një bankë e orientuar kryesisht te huadhënia për sektorin privat. Kredia përbën pothuajse gjysmë e vlerës së aseteve të bankës dhe portofoli ngelet në rritje, por me ritme më të përmbajtura krahasur me vitet e mëparshme. Në krahun e detyrimeve, Credins është një ndër aktorët me rezultatet më të mira në tërheqjen e depozitave të publikut. Vlera totale e tyre në fund të marsit ishte 150 miliardë lekë ose 1.2 miliardë euro. Depozitat u rritën me 15.6% krahasuar me një vit më parë, rritje kjo disa herë më e lartë se mesatarja e sistemit.
Edhe performanca financiare e bankës është në përmirësim. Për tremujorin e parë të vitit, Credins raportoi një fitim neto në vlerën e 97 milionë lekëve, afro katër herë më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Baza e të ardhura shënoi një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë, por një ndikim të konsiderueshëm pozitiv dha ulja e shpenzimeve për provigjione.
Sidoqoftë, në vitet e fundit Credins ka investuar më shumë te rritja, sesa te përfitueshmëria. Kthimi nga kapitali aksioner është në kufijtë e 3%, nivel relativisht i ulët krahasuar me bankat e përmasave të ngjashme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.