“Credins Bank”, në Kosovë – Merr miratimin zyrtar nga Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë ka miratuar hapjen e filialit të Credins Bank në Kosovë. Sipas raportit vjetor të mbikëqyrjes për vitin 2018, Banka Qendrore ka dhënë zyrtarisht dritën e jeshile për zgjerimin e bankës më të madhe me kapital shqiptar në tregun kosovar.
Credins bëhet e dyta bankë shqiptare me aktivitet në Kosovë, pas Bankës Kombëtare Tregtare. Hapja e degës së Credins në Kosovë duhet të miratohet në vijim edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. Credins është aktualisht banka e tretë më e madhe në Shqipëri. Në fund të muajit mars, vlera e aktiveve të Credins ishte rreth 202 miliardë lekë ose 14.2% e totalit të sistemit bankar.
Në vitet e fundit, tregu bankar kosovar është rritur me ritme të shpejtë. Sipas statistikave nga Banka Qendrore e Kosovës, në fund të muajit prill totali i aktiveve të sistemit bankar kishte vlerën e 4.3 miliardë eurove, me rritje vjetore dyshifrore. Rritja e sistemit bankar po mbështetet kryesisht te huadhënia. Në fund të prillit, portofoli i kredisë arriti në 2.85 miliardë euro, me rritje vjetore afro 11%. Ndryshe nga Shqipëria dhe tregjet fqinje, tregu kosovar e ka vuajtur më pak ngadalësimin e huadhënies dhe rritjen e kredive me probleme.
Sektori bankar kosovar e mbylli vitin e kaluar me një fitim neto prej 88 milionë eurosh, ndërsa edhe katërmujori i parë i këtij viti është mjaft pozitiv, me një rezultat pozitiv në vlerën e 26 milionë eurove. Raporti i kredive me probleme të sistemit është pranë kufirit të 3%.
Aktualisht, tregu bankar në Kosovë ka 10 banka të licencuara. Banka më e madhe është Raiffeisen, me afro 22% të totalit të aktiveve, e ndjekur nga ProCredit me 17% dhe banka sllovene NLB me 16%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.