Credins mbështet Kryqin e Kuq – Mobilie dhe kompjutera pranë organizatës jofitimprurëse
Credins Bank ka vendosur të dhurojë mobilie dhe pajisje kompjuterike pranë Kryqit të Kuq të degës së Elbasanit. Kjo iniciativë është vijimësi e mbështetjes që Credins ka ofruar prej vitesh ndaj shoqatës më të vjetër humanitare, si një bankë me një fokus të veçantë në veprimtaritë dhe aktivitetet sociale.
“Kryqi i Kuq shqiptar ka rreth 20 vjet që bashkëpunon me bankën Credins. Ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht i frytshëm. Ne kemi gjetur ngrohtësi te kjo bankë. I falënderoj jashtë mase drejtuesit e bankës Credins në qendër dhe drejtuesit e bankës Credins në Elbasan si dhe stafin, sepse janë shumë mikpritës jo vetëm me ne, por me të gjithë qytetarët me sa kemi parë” u shpreh Ened Llapushi, sekretar pranë Kryqit të Kuq, Elbasan.
“Në këtë rast jemi duke mbështetur këtë organizatë duke dhuruar disa pajisje që do të ndihmojnë në punën e tyre të përditshme. Duke vlerësuar dhe respektuar punën e tyre të palodhshme në të gjithë Shqipërinë jemi duke ofruar suportin tonë, në rritjen e shërbimit ndaj grupeve në nevojë” tha Enigerta Vila, analiste kredie për individin, Credins Bank, dega Elbasan.
Credins është banka që vazhdimisht merr iniciativa duke investuar në infrastrukturë, në projekte inovative apo në programe interesante dhe bashkëkohore.
“Në kuadër të këtij procesi, banka Credins është duke përgatitur një fushatë dhurimi ushqimesh për familjet në nevojë, projekt ky i cili do të lancohet së shpejti” shtoi më tej Enigerta Vila.
Objektivi i Credins Bank është të shpërndajë kontributin e vet në çdo hallkë apo sektor në nevojë. Gjatë bashkëpunimit shumëvjeçar me Kryqin e Kuq, Credins Bank i është bashkuar nismave të ndryshme humanitare, përfshirë këtu “Dhurimi i gjakut shpëton jetë”, aktivitetet për të moshuarit, apo organizimet festive për fëmijët jetimë.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.