Credins me aktivitet të ri – Licencohet si depozitar për fondet e pensionit dhe investimit
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka licencuar Credins Bank për ushtrimin e veprimtarisë së depozitarit të fondeve të pensioneve dhe fondeve të investimeve.
Licencimi për këto shërbime shënon zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit të Credins në tregun financiar jobankar. Aktualisht, Credins është aksioneri kryesor i shoqërisë së administrimit të fondeve të pensioneve dhe investimeve, Credins Invest, si edhe aksioner i bursës së vetme të titujve në Shqipëri, ALSE.
Në vitet e fundit, tregjet e pensioneve dhe fondeve të investimit kanë shënuar rritje të konsiderueshme. AMF ka licencuar tre fonde të pensioneve private, që numërojnë mbi 26 mijë anëtarë dhe pesë fonde investimi, me rreth 30 mijë anëtarë.
Rritja e tregut po shton edhe interesin e bankave tregtare për të vepruar si depozitarë të tyre. Credins bëhet banka e gjashtë që licencohet si depozitar i fondeve të pensioneve, pas Fibank, BKT, OTP Bank Albania, Tirana Bank dhe ABI Bank. Depozitarët e fondeve të investimit do të jenë tashmë katër, ku dy licencave ekzistuese të Fibank dhe ABI Bank, iu shtuan këtë muaj edhe ato të Credins Bank dhe Tirana Bank.
Çdo fond investimesh apo pensionesh duhet të punojë me një depozitar të licencuar, që është një bankë tregtare e cila kryen mbajtjen e aseteve të këtyre fondeve. Depozitari është një garant i mbrojtjes së interesit të investitorëve dhe aksionarëve të fondit. Sipas ligjit, shoqëria e administrimit dhe depozitari i fondit duhet të jenë të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk mund të kontrollohen nga të njëjtët aksionarë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.