Çuçi në Lushnjë: Eksporti i domateve është rritur me 96% krahasuar me vitin e kaluar

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ishte në qytetin e Lushnjës për të vizituar një nga pikat e grumbullimit dhe serrave. Sipas njoftimit, ministri u ndal fillimisht tek serra e kultivuar me pjepër, e cila pritet të jetë nga të parat në vend që do të marrë certifikimin e Global G.A.P.
‘Ne do të synojmë që të gjithë prodhuesit bujqësor shqiptarë të lidhin marrëdhënie me Global G.A.P. Kjo do të thotë se nëse ke certifikim nga Global G.A.P cilësia është 100% e garantuar, prodhimi mund të shitet në të gjithë Europën” – tha Çuçi.
Sipas njoftimit, Ministri Çuçi u ndal tek pika e grumbullimit prej nga ku nisen për çdo ditë kamionët me perime në Europë. Në krye të eksporteve të prodhimeve bujqësore vijon ende të jetë domatja. Njoftimi bëri me dije se në katër muajt e parë të këtij viti eksporti i domates Made in Albania është rritur me 96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Qeveria i ka vënë një theks të veçantë forcimit të pikave të grumbullimit sepse garantojnë tregun. Duke garantuar shitjen, edhe fermeri mbjell pa asnjë merak sepse me kontratat që bën me pikat e grumbullimit nuk i ngelet prodhimi. Grumbulluesi nga ana tjetër ka rol shumë të madh në disiplinimin dhe rritjen e cilësisë sepse duke i siguruar fermerit shitjen e prodhimit i imponon atij edhe cilësinë” – tha ministri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.