Çudit Gjermania – Bien eksportet dhe importet, rritet vetëm sufiçiti

Importet gjermane pësuan një rënie më të madhe se eksportet gjatë muajit qershor, duke nxitur suficitin më të madh tregtar në 10 muaj dhe duke surprizuar shumëkënd me dy shifra në territor negativ.
Të dhënat vijnë në serinë e atyre që flasin për një përkeqësim të tregtisë dhe industrisë gjermane gjatë muajve të fundit.
Ndër të tjera, këto të dhëna i japin edhe më shumë zë kritikëve të Angela Merkel përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend. Kancelarja akuzohet se nuk ka investuar sa duhet për të nxitur importet dhe të mbështesë vendet e tjera, sidomos ato europiane.
Eksportet ranë kështu me 2.8% gjatë muajit Qershor, që është edhe rënia më e madhe që prej Gushtit të vitit 2015. Qershori i ka dhënë kështu fund 5 muajve në rritje për eksportet.
Importet ndërkohë ranë me plot 4.5%, që është rënia më e madhe që prej Janarit të vitit 2009, tregon zyra e statistikave në vend.
Pritshmëritë ndërkohë, flisnin për rritje, si për eksportet ashtu edhe për importet. Ekspertët argumentojnë se, rënia është rrjedhojë e korrektimit të të dhënave të 5 muajve të kaluar.
Ata argumentojnë gjithashtu se optimizmi nuk është prekur dhe se ekonomia gjermane do të vijojë të rritet përgjatë gjysmës së dytë të vitit, pavarësisht ecurisë që do të ketë Eurozona.
Sufiçiti tregtar gjatë Qershorit preku nivelin e 21.2 miliardë eurove, nga 20.3 miliardë që ishte gjatë Majit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.