Dalin fotot e para të Galaxy Note 8 – Dy kamera të pasme dhe sensor për leximin e shenjave të gishtit

Ndonëse smartphone-i i Samsung pritet të zbulohet jo më herët se data 23 Gusht, disa foto të tij janë zbuluar për fansat nëpër rrjete sociale.
Aparati i ri do të ketë mesa duket ekranin e lakuar nga skaji në skaj, Infinity Display, i cili e bëri Galaxy S8 një celular shumë të kërkuar. Madje duket se anët do të jenë edhe më të lakuara.
Në këtë model dallojmë edhe butonin e dedikuar për asistentin Bixby, të pozicionuar në cepin e djathtë të pajisjes.
Nga pas është e qartë se Note 8 do të vijë me një sistem me dy kamera dhe me dy blice, një me ngjyrë të ngrohtë e një me ngjyrë të ftohtë.
Megjithatë Note 8 nuk ka përmirësuar gabimin e vetëm të S8, duke risjellë sensorin e shenjave të gishtit pranë kamerës. Ky pozicionim është kritikuar nga përdoruesit, të cilët në përpjekje për të zhbllokuar celularin, bëjnë pis lentet e kamerës. Mesa duket alternativa për ta vendosur këtë sensor nën xhamin e ekranit ende nuk është gati për prodhim në masë.
Ashtu si në edicionet e mëparshme, lapsi “s-pen” shoqëron aparatin.
While these early-stage "DIY renders" certainly give a feel for a phone's basic design, the final product can differ significantly. pic.twitter.com/YwQMAx6Y3X
— Evan Blass (@evleaks) August 1, 2017
Sa i takon specifikave, ekrani do të jetë në raportin e ri 18.5:9, me përmasa 6.3 inch dhe rezolucion 2K. Ai do të shoqërohet me procesorin e fundit Snapdragon 835 dhe 6GB RAM. Sistemi Android 7.0 do të operojë mbi memorien 64GB me mundësi shtimi me karta microSD.
Sipas zërave, ky model mund të jetë i pari i kompanisë koreane që kalon çmimin e 1 mijë dollarëve, pavarësisht dështimit të Note 7 për shkak të problemeve me bateritë që merrnin flakë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.