Dalja e Britanisë nga BE, Shqipëria rikonfirmon marrëdhëniet tregtare. Marrëveshja në Kuvend
Pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimit Europian, Shqipëria ka nisur nënshkrimin e marrëveshjeve që reflektojnë statusin e ri. Në kuvend është depozituar për ratifikimin marrëveshja e re e tregtisë mes dy vendeve.
“Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, mallrat me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Shqipëria do të përfitojnë trajtim tarifor preferencial reciprok të njëjtë me atë që kanë përfituar kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e komunitetit evropian dhe palë e kësaj MSA-je.
Marrëveshja synon sigurimin e vijimit të bashkëpunimit dhe vazhdimin e tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të njëjtat kushte preferenciale dhe pas daljes së saj nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja mbështetet në modifikimin e marrëveshjes ekzistuese të Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe parashikon rregullimin e parashikimeve të dispozitave të marrëveshjes së MSA-së, pas shfuqizimit për Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit dhe atyre pjesëve të marrëveshjes që janë të lidhura specifikikisht me Bashkimin Evropian, të cilat nuk do të zbatohen në marrëveshjen dypalëshe Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar” shkruhet në relacion e marrëveshjes. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për periudhën 2007-2021, vlera e importeve
është rritur me rreth 20% në vitin 2019, krahasuar me vitin 2007, ndërsa pesha e importeve është rritur me rreth 34%. Importe kryesore gjatë vitit 2019 janë makineri/pajisje, të cilat përbëjnë rreth 50% të totalit të importeve, vijuar nga produktet kimike e plastike me 20% dhe ushqime e pije me rreth 12%.
Për sa u përket eksporteve, vlera e tyre në vitin 2019 është rritur me 2,3 herë më shumë në krahasim me vitin 2007. Në vitin 2019, struktura e eksporteve ka qenë e dominuar nga eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, të cilat kanë përbërë rreth 55% të vlerës së eksporteve, vijuar nga tekstile dhe këpucë me rreth 14% të totalit dhe më pas nga ushqime e pije me rreth 12%.
Britania e Bashkuar përbën rreth 1.4% të totalit të importeve tona nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 0.4% të totalit të eksporteve në 28 vendet e Bashkimit Evropian.
Referuar të dhënave, ekziston një potencial i pashfrytëzuar ende i rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy shteteve tona. Për këtë qëllim, ratifikimi dhe hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të nxisë thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe do të ndikojë ndjeshëm në nivelin e flukseve të FDI-së në Shqipëri, në rritjen e eksporteve shqiptare, si dhe në përmirësimin e ndjeshëm të bilancit tregtar të vendit.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mundëson vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Mbretërinë e Bashkuar, edhe pas daljes së saj nga Bashkimi Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.