Danimarka blen 2 milionë pilula jodi për të forcuar planin e saj të emergjencës bërthamore!

Agjencia shëndetësore e Danimarkës, e shqetësuar nga lufta në Ukrainë, do të blejë 2 milionë tableta jodi për të mbrojtur njerëzit në rast të një aksidenti bërthamor pranë vendit nordik. Jodi konsiderohet një mënyrë për të mbrojtur trupin kundër kushteve të tilla si kanceri i tiroides në rast të ekspozimit radioaktiv dhe shqetësimet për incidentet bërthamore në Ukrainë kanë nxitur grumbullimin e rezervave në të gjithë Europën.
“Zhvillimet e COVID-19 gjatë dy viteve të fundit na kanë treguar se është e rëndësishme të jemi të përgatitur. Lufta në Ukrainë na ka treguar se bota është e paparashikueshme,” tha agjencia në një njoftim për shtyp.
Danimarka është më shumë se 900 kilometra nga centralet bërthamore më të afërta në Ukrainë, sipas agjencisë shëndetësore, dhe aktualisht nuk ka asnjë rrezik konkret për Danimarkën, tha Ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke.
Stoku i jodit do të përdoret në rast të një aksidenti në një termocentral bërthamor në afërsi të Danimarkës, i cili nuk ka centrale bërthamore, por është afër disave të tilla në Suedi dhe Gjermani, ose në bordin e anijeve me energji bërthamore në ujërat daneze.
Sipas vlerësimeve të agjencisë, një stok prej 2 milionë tabletash do të mbulonte grupet e rrezikut, duke përfshirë fëmijët dhe të rinjtë deri në 18 vjeç, gratë shtatzëna dhe në gjidhënie dhe personelin e urgjencës deri në moshën 40 vjeç.
Për njerëzit mbi 40 vjeç, nuk shihet asnjë efekt mbrojtës nga marrja e tabletave të jodit ndërsa dërgesat e para priten brenda dy deri në tre muaj. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.