“DASH” flet për Shqipërinë – Klima e investimeve, korrupsioni i përhapur kudo
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar më 29 Qershor, raportin e fundit të klimës së investimeve në Shqipëri për vitin 2017.
Theksi vihet kryesisht te korrupsioni endemik dhe nevoja emergjente e reformimit të gjyqësorit.
Raporti thekson se, pavarësisht faktit se, legjislacioni shqiptar nuk i ndan investitorët vendas me ata të huaj, duke i trajtuar njësor, është korrupsioni i lartë, kryesisht në drejtim të prokurimeve publike që ndalon investitorët e huaj që të hedhin kapital në Shqipëri.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, një sërë kompanish amerikane janë ankuar se janë skualifikuar nga proceset e tenderimit paçka se kanë pasur ofertën më të mirë, dhe se qeveria ia ka dhënë kontratën një kompanie vendase.
Raportimet për korrupsion me prokurimet publike janë mëse të zakonshme në Shqipëri thotë DASH. Raporti nënvizon se, anët pozitive që tërheqin investitorët e huaj në vendin tonë janë energjia, infrastruktura, komunikacioni dhe furnizimi me ujë.
Sektori bankar ndërkohë vlerësohet i mirëkapitalizuar dhe me likuditet të mjaftueshëm. Raporti shton se, bankat në Shqipëri, ndryshe nga fqinjët, nuk e vuajtën njësoj krizën financiare globale.
Korrupsioni është një problem i vazhdueshëm në Shqipëri, që minon sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Reforma në drejtësi vlerësohet si zhvillimi më pozitiv që prej rënies së komunizmit.
E drejta e pronës vlerësohet gjithashtu si një ndër problematikat kyçe të të bërit biznes në vendin tonë. Zyra kombëtare e regjistrimit të pasurive të paluajtshme evidentohet si një ndër institucionet më të korruptuara dhe departamenti i shtetit i bën thirrje investitorëve që ti ndjekin praktikat me një avokat.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.