De Biasi flet për sfidën me Italinë: Jo e lehtë t’i bësh ‘surprizë’ Venturës

Të premten më 24 mars, Shqipëria e Gianni De Biasit do të përballet në stadiumin Renzo Barbera të Palermos me Italinë.
Në një intervistë për gazetën Tribuna e Trevisos, De Biasi ka folur për mundësinë e një surprizë në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Grupit G.
“A po i përgatis një rreng të vogël të kaltërve të Venturas? Se mos është e lehtë. Qartësisht, e njoh mirë Italinë, nuk është hera ime e parë kundër të kaltërve. Jam ndeshur me ta në miqësoren e nëntorit 2014, kur në pankinën tjetër qëndronte Antonio Conte. Sigurisht që kësaj here është më e vështirë, pasi luhet për pikë. Kjo për ne është gati vendimtare”, u shpreh De Biasi.
Trajneri i kombëtares vijoi duke folur edhe për futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatin italian.
“Të gjithë po luajnë shumë mirë. Ndoshta më i miri është Berisha, i cili ka fituar postin e titullarit me Atalantën, që po bën një kampionat shumë të mirë. Por ky është edhe sezoni i konfirmimit të Hysaj, sepse eksperienca ndërkombëtare është vendimtare për formimin e një futbollisti”, tha De Biasi.
Duke folur për organikën e përfaqësueses italiane, De Biasi vlerësoi të gjithë lojtarët në dispozicion të Venturas. Sipas trajnerit të kombëtares shqiptare, Ventura është padyshim favoriti.
Përsa i përket Palermos, De Biasi ka konfirmuar se ka patur një telefonatë javët e fundit për ta trajnuar këtë ekip.
“Refuzova me mirësjellje. Jam shumë mirë me Shqipërinë për momentin, edhe sepse kam arritur të përcjell një mesazh: nuk jam këtu për paratë, por për të krijuar një mentalitet tjetër, sepse unë mendoj vërtet se mund të fitohet.
Propozime të tjera? Nuk e mohoj që do të më pëlqente të trajnoja në Spanjë ose në Angli, mbase dhe ndonjë kombëtare tjetër. Por, pa dyshim, përpara është kjo aventura. Nuk kam lojtarë me cilësitë e Italisë, por gjithsecili hedh në fushë armët e tij. Do të bëjmë një ndeshje të bukur, pavarësisht të kaltërve”, shkruhet në fund të intervistës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.