Debat për financat në Francë – Teprojnë para’ nga buxheti, do paguhet borxhi apo do nxiten shpenzimet?
Qeveria franceze ka mjaftueshëm hapësira për të nxitur shpenzimet në sektorët prioritarë falë një deficiti buxhetor më të ulët se pritshmëritë gjatë vitit të kaluar.
Objektivi i qeverisë fliste për një defiçit në 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në fundvit rezultoi në vetëm 2.7%.
Kjo do të thotë se, qeverisë franceze i kanë tepruar një sasi e konsiderueshme parash për të ndërhyrë dhe për të nxitur shpenzimet në disa prej sektorëve kyç, që kryesisht kanë të bëjnë me tregun e punës.
Kjo gjë do t`i mundësonte Francës që të mos thyente rregullat e përbashkëta europiane e të mos humbë besueshmërinë përballë partnerëve europianë.
Të paktën ky është skenari i disa zyrtarëve të lartë të partisë së Emmanuel Macron.
Ky i fundit ndërkohë dhe qeveria e tij kanë deklaruar vazhdimisht se, çdo hapësirë që do të krijohet nga deficiti më i ulët se pritshmëritë do të përdoret për të ulur borxhin e lartë publik.
Vetë ministri i financave në vend deklaroi se, vitin e ardhshëm borxhi do të kapërcejë nivelin e 97% të PBB, duke u bërë për rrjedhojë i paqëndrueshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.