Debate për lejet e mjedisit – Klosi kërkon heqjen për 6200 biznese. Mazniku: T’i japin bashkitë
Kompetenca për dhënien e lejeve mjedisore të tipit C ka rindezur debatin mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkive. Pas rikthimit nga seanca plenare për diskutim në komisionet parlamentare të pr.ligjit të qeverisë që kërkon heqjen e detyrimit të pajisjes me këtë leje për 6200 biznese të vogla, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku ka kërkuar që kjo kompetencë t’iu kalojë bashkive, së bashku me mekanizmat e kontrollit që aktualisht nuk ekzistojnë për pushtetin vendor.
Por, sipas ministrisë qëllimi është lehtësimi i bizneseve për t’u pajisur me këtë leje, ndërkohë që kontrolli mund të zgjidhet me Vendim të Këshillit Bashkiak .
Kryetari i Komisionit Niko Peleshi tha se problemi kryesor nuk është pajisja me lejen por monitorimi i aktivitetit dhe ndotjes që ai gjeneron.
Komisioni kërkoi që propozimet e bashkisë të jepen me shkrim ndërkohë që do të vendosë në ditët në vijim për variantin që do të dërgojë për miratim në seancën plenare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.