Debatet për kontratat, FSDKSH: Arrihet marrëveshje me farmacitë
Disa farmaci në kryeqytet por edhe në rrethe kanë ulur qepenat të hënën e 14 majit në shenjë proteste ndaj kontratave që lidhin me fondin. Sipas farmacistëve kontratat kanë që në të njëanshme dhe ju kanë shkaktuar shumë dëme financiare.
Në lidhje me ngërçin e kontratave Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lajmëroi arritjen e marrëveshjes me Urdhrin e Farmacistëve për disa çështje kontraktuale, të cilat ishin kërkesa ndër vite të subjekteve farmaceutike.
Por FSDKSH nuk ka dhënë dakordësi për ato çështje të cilat cenojnë parimet mbi të cilat bazohet Fondi siç është siguria e barnave për pacientët.
“Pas bisedimeve disa ditore që kemi kryer me përfaqësuesit e Urdhërit të Farmacistit, ne kemi mbërritur në një të mesme të përbashkët. Ka patur dakordësi dhe mirëkuptim, si dhe lëshime aty ku ishte e nevojshme dhe ku nuk prekeshin ato që ne i konsiderojmë parime të pacënueshme, në interes të pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi i barnave”, deklaroi drejtori i Fondit, Eduard Ahmeti.
Edhe pse është arritur një marrëveshje mes të dy palëve, farmacistët vijojnë të jenë ende të pakënaqur. Sipas tyre fondi duhet që ë rimbursojë kostot e recetës elektronike që ju ka kaluar subjekteve farmaceutike.
Por nga fondi nuk ka një përgjigje përfundimtare për këtë çështje me përjashtim të faktit që në të ardhmen do të eliminohet receta e printuar.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.