Debatet për statistikat – Ligji i ri për INSTAT mbërrin në Kuvend

Në jo pak raste debatet e shumta midis forcave politike janë përqendruar tek saktësia e statistikave. Tashmë për të shmangur aludimet pritet që të miratohet projektligji i ri “ Për statistikat zyrtare”, drafti i të cilit ka mbërritur në Kuvend për diskutime në komisionet parlamentare.
Ky projektligj nuk parashikon të sjellë problematika, ndërkohë që efektet kryesore të pritshme janë imazhi i përmirësuar i INSTAT-it, si institucioni që prodhon statistika cilësore reale, koherente dhe asnjanëse, sigurimi i qëndrueshmërisë së stafit, larg trysnive nga grupet e interesit, dhe qasja te përdoruesit, duke marrë në konsideratë drejtpërdrejt interesin e tyre për statistikat e prodhuara dhe cilësinë e tyre.
Projektligji është hartuar me mbështetjen dhe komunikimet e vazhdueshme me strukturat e Eurostat-it, të cilat mbulojnë legjislacionin evropian të statistikave zyrtare, si dhe institucionet publike në vend, si Banka e Shqipërisë, ministritë e linjës dhe organizatat ndërkombëtare të interesuara për përmirësimin e cilësisë së statistikave zyrtare.
Me miratimin e këtij drafti synohet që të arrihen:
Përmbushja e rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë, pasqyruar në raportet vjetore të progresit lidhur me:
a) ngritjen e Sistemit Kombëtar Statistikor dhe përcaktimin e mekanizmave koordinues të tij;
b) forcimin e pavarësisë profesionale të stafit të institucioneve që prodhojnë statistika zyrtare, nëpërmjet ndryshimit të statusit të INSTAT-it, si institucion publik i pavarur;
c) mandatimin e INSTAT-it si institucion përgjegjës për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për cilësinë e statistikave zyrtare;
ç) forcimin e kompetencave të drejtorit të Përgjithshëm, si koordinator i Sistemit Kombëtar Statistikor;
d) riformatimin e Këshillit të Statistikave duke i dhënë natyrën e një organi konsultativ, duke e konsideruar si zëri dhe interesi i drejtpërdrejtë i përdoruesve të statistikave zyrtare.
Violeta Shqalsi/SCAN
Rritje pagash 9-18 mijë lekë-INSTAT ndryshon status, bëhet institucion i pavarur publik! Detajet: Shërbime për të tretët, kundrejt tarifave
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.