Debati për koncesionet – Basha: Po mbroni paratë e klientëve tuaj. Rama: Dhunë ndaj biznesit
Pas deklaratave të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri debati mbi kontratat koncesionare ka vijuar në distancë mes kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.
Kryedemokrati i cilësoi deklaratat në funksion të mbrojtjes së parave të dhëna ndaj klientëve të qeverisë. “Propaganda e Ramës i ka ndezur të gjithë motorët. Shpifje e përbaltje nga shërbëtorët e mercenarët e Rames për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Padronit dhe klientëve të tij”,- komentoi Basha në rrjetin Social Twitter.
Ndërkohë edhe Rama zgjodhi të njëjtin rrjet social për të thënë se deklaratat e Partisë Demokratike mbi rishikimin e të gjitha kontratave koncesionare, janë dhunë ndaj sipërmarrjes.
“Kur një parti politike shpall si platformë dhunën verbale mbi sipërmarrësit ka ngatërruar sistemin ku vepron;ka harruar arsyen pse ekziston;ka marrë fund si alternativë, qeverisëse e është kthyer në maskë gjobvënëse!”,-komentoi Rama, duke mos kursyer edhe ironinë ndaj kreut të opozitës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.