Debati presidencial në SHBA – Përçarje mes demokratëve. Sanders dhe Warren mbrojnë politikat
Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders mbrojtën politikat e tyre progresive gjatë debatit presidencial të demokratëve, ndërkohë që rivalët e tyre i kritikuan propozimet si jorealiste dhe të papërshtatshme. Debati vendosi 2 senatorët kundër 8 kandidatëve të tjerë me kujdesin shëndetësor dhe politikat për emigracionin që ishin temat kryesore.
Në natën e parë të debateve, demokratët qëndruan të bashkuar duke theksuar urgjencën për mposhtjen e presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e Nëntorit 2020. Megjithatë, ka patur kritika të mëdha brenda partisë, ndërkohë që mospërputjet politike mbizotëruan shfaqjen që zgjati 3 orë. Debati mes liberalëve dhe të moderuarit në partinë Demokratike vuri në dukje vështirësitë në zgjedhjen e një kandidati që do të jetë i përshtatshëm për të mposhtur Trump vitin e ardhshëm.
Krahu i moderuar argumentoi se demokratët rrezikojnë humbjen e votave pasi po anojnë nga e majta. Nga ana tjetër, progresivët argumentojnë se politikat e tyre do të tërheqin votuesit dhe do të krijojnë kontrast me Donald Trump. Sanders u kundërpërgjigj ndaj kritikave se propozimet e tij nuk janë realiste. “Jam lodhur nga demokratët që kanë frikë idetë e mëdha. Republikanët nuk janë të frikësuar”, tha Sanders.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.