Debati Rama-Basha – Nga buxheti, spostohet te situata politike dhe siguria

Në një kohë kur në qendër të diskutimeve në Kuvend duhet të ishin ato për buxhetin faktik të vitit 2016, kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha janë përfshirë nga debate për situatën politike dhe sigurinë në vEnd. Kreu i qeverisë në diskutimin e tij është fokusuar te reforma në shëndetësi, sipas të cilit vazhdon ajo ndjenjë e përgjegjësisë për t’u shërbyer shqiptarëve dhe sidomos asaj të kontrollit bazë shëndetësor falas.
“Programi për koncesionet në shëndetësi nuk është babëzia qeveritare, është ndjenja e përgjegjësisë për t’i shërbyer qytetarëve duke iu garantuar kontrollin bazë mjekësor falas. Qytetarët e këtij vendi deri dje për të bërë një kontroll bazë mjekësor duhet të paguanin nga xhepi, sot e bëjnë atë falas dhe mund ta bëjnë atë çdo vit falas. Po të kishit minimumin e përgjegjësisë, jo vetëm që nuk duhet ta përbaltnit këtë shërbim falas për qytetarët, por duhet të merrnit pjesë në rritjen e ndjeshmërisë së tyre lidhur me domosdoshmërinë e këtij shërbimit”, tha Rama.
Por ka reaguar Kryetari i PD, sipas të cilit në sallën ku duhet të bëhen ligje, qëndrojnë persona të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës.
“Aty ku ka korrupsion dhe krim, nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie. Aty ku kultivohet droga është e kotë të mbajmë interpelanca për karrotën e Divjakës, se nuk ka as karrota, as mollë, as patate aty ku sundon krimi. Nuk ka as ligj, as drejtësi. Gjithmonë, vendet që kanë rënë nën pushtetin e drogës janë zhytur pa përjashtim në humnerën e varfërisë, mjerimit dhe dëshpërimit”, tha Basha.
Prej ditësh tashmë akuzat dhe kundërakuzat për trafikun e drogës po zënë gjithnjë e më shumë vend në deklaratat dhe debatet publike.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.