Deficiti tregtar i eurozonës – Rritet në shkurt, si rrjedhojë e çmimeve nga importi i energjisë

Eurozona regjistroi një deficit tregtar për të katërtin muaj radhazi në shkurt për shkak të çmimeve të energjisë, që çuan në një rritje të konsiderueshme të vlerës së këtyre importeve.
Sipas Eurostat, deficiti tregtar i parregulluar i 19 vendeve që përdorin euron ishte 7.6 miliardë euro, krahasuar me një suficit prej 23.6 miliardë euro një vit më parë në shkurt 2021.
Pagesat për importe u rritën me 38.8% në bazë vjetore, ndërsa të ardhurat nga eksportet u rritën me vetëm 17.0%. Tregtia e Eurozonës rrallëherë është në deficit, por ky ishte muaji i katërt radhazi, megjithëse dukshëm më i ulët se shifra e janarit prej 27.2 miliardë euro.
Para nëntorit, eurozona kishte më parë një bilanc tregtar negativ në janar 2014 dhe për herë të fundit kishte deficit prej më shumë se një muaji në 2011.
Të dhënat për të gjithë Bashkimin Europian prej 27 vendesh treguan se kosto e importeve të energjisë u dyfishua në janar dhe shkurt nga një vit më parë, me rritje të dukshme edhe për importet e ushqimeve dhe pijeve, lëndëve të para, kimikateve dhe makinerive.
Deficitet tregtare të BE-së me furnizuesin e energjisë Rusia u trefishuan në 25.2 miliardë euro dhe me Norvegjinë u rritën nga vetëm 0.1 miliardë euro një vit më parë, në 10.7 miliardë euro në janar-shkurt. Deficiti gjithashtu pothuajse u dyfishua me Kinën në rreth 60 miliardë euro dhe u zgjerua me Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
E rregulluar për luhatjet sezonale, tregtia e eurozonës ishte gjithashtu në deficit për të pestin muaj radhazi dhe shifra prej 9.4 miliardë eurosh për shkurtin ishte më e gjerë se 7.7 miliardë euro mungesa e janarit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.