Deficiti tregtar në SHBA – Bie në Shkurt, ul tensionet para takimit Trump – Xi Jinping

Deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara ka rënë në muajin Shkurt, nga niveli më i lartë në 2 vite që preku në Janar, ndërkohë që kërkesa e fortë e brendshme ka reduktuar importet dhe ndërsa rritja e fortë globale ka nxitur eksportet e mallrave amerikanë.
Deficiti me Kinën tkurr ndjeshëm me 26.6% në 23 miliardë dollarë nga muaji Janar. Të dhënat vijnë përpara takimit të dy liderëve Trump dhe Xi Jinping këtë javë, ku tregtia do të jetë tema kryesore. Departamenti i Tregtisë njoftoi se deficiti tregtar ra me 9.6% në 43.6 miliardë dollarë, ndërsa eksportet patën rritjen më të madhe në më shumë se 2 vite.
Deficiti real tregtar, i përshtatur me inflacionin, ra në 59.7 miliardë dollarë, nga 65.1 miliardë që ishte në Janar. Pavarësisht të dhënave pozitive për muajin Shkurt, tregtia do të ketë ndikim neutral në Produktin e Brendshëm Bruto të tremujorit të parë. Në tremujorin e katërt 2016, tregtia neto i hoqi 1.82% Produktit të Brendshëm Bruto. Shpenzimet e dobëta konsumatore ka gjasa të përbëjnë një barrë për 3 muajt e parë të 2017-ës.
Zyrtarët e Rezervës Federale e projektojnë rritjen në 1.2% për tremujorin, në rënie nga 2.1% që ishte në tremujorin paraardhës. Dollari amerikan dhe titujt e kapitalit mbetën të pandryshuara pas publikimit të të dhënave mbi tregtinë.
Administrata e Donald Trump ka kërkuar studime për shkakun e deficiteve tregtarë të SHBA. Presidenti mendon se hendeqet e mëdha tregtare po dobësojnë rritjen ekonomike dhe punësimin në Shtetet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.