Deficiti tregtar rritet 200 milion euro – Rënia vjetore e eksporteve arrin në 3.6% për 10 mujorin
Bilanci tregtar i vendit vijoi prirjen negative edhe gjatë muajit tetor. Sipas Instat, deficiti tregtar ishte 14% më i lartë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për gjithë 10 mujorin e këtij viti, Shqipëria regjistroi një deficit tregtar në vlerën e 288 miliardë lekëve, ose rreth 2.35 miliardë eurove.
Krahasuar me vitin e kaluar, deficiti është rritur me 8.3% ose rreth 200 milionë euro. Një zgjerim i deficitit tregtar nënkupton një ndikim më të lartë negativ i bilancit të jashtëm në prodhimin e brendshëm bruto të vendit. Ky është një nga faktorët që do të përcaktojnë një rritje më të dobët ekonomike për këtë vit, krahasuar me vitin 2018.
Eksportet edhe për muajin tetor shënuan një performancë më të dobët, me 10% më pak krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa për gjithë 10 mujorin rënia e eksporteve u thellua më shumë në 3.6% krahasuar me 10-mujorin e vitit 2018.
Dobësimi i eksporteve këtë vit ka ardhur për shkak të rënies së njëkohshme të tre grupeve me peshën kryesore “minerale, lëndë djegëse, energji”, “tekstile dhe këpucë” dhe “materiale ndërtimi e metale”. Kjo dëshmon se, në thelb, përkeqësimi i eksporteve shqiptare ka rrënjë më të thella sesa thjesht ulja e eksporteve të energjisë elektrike. Megjithatë, rënia në tre grupet kryesore është kompensuar pjesërisht nga një ecuri më e mirë eksporteve grupet “ushqime dhe pije” dhe “makineri, pajisje, pjesë këmbimi”.
Nga ana tjetër, importet vazhduan rritjen edhe për tetorin, me 1.6% më shumë krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Për gjithë 10 mujorin, Shqipëria importoi mallra në vlerën e 481 miliardë lekëve, në rritje me rreth 3% krahasuar me një vit më parë. Importet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji” janë rritur me afro 12 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar. Në pjesën më të madhe, rritja e këtij grupi reflekton importet më të larta të energjisë elektrike gjatë vitit 2019.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.