Deklarata e BSH për 6-mujorin – Sistemi bankar me performancë të mirë financiare
Zhvillimet në sektorin bankar, gjatë gjysmës së parë të vitit, evidentuan përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së kredisë dhe dëshmuan rëndësinë e vijimit të këtij procesi.
Ky është vlerësimi që institucioni më i lartë financiar në vend, Banka e Shqipërisë, bën për sektorin bankar, në Deklaratën e Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2017.
“Ecuria e treguesve makroekonomike dhe zhvillimet në mjedisin e përgjithshëm ekonomik, mbështetën më mirë veprimtarinë e sistemit financiar. Në sektorin bankar, treguesit e performancës financiare, të kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë, përgjithësisht u përmirësuan. Megjithatë, analiza e faktorëve përcaktues dhe ushtrimet e provës së rezistencës sugjerojnë nevojën për monitorimin e ecurisë së këtyre treguesve përgjatë kohës”, thuhet në deklaratën e BSH.
Këshilli i Mbikëqyrjes miratoi gjithashtu në mbledhjen e radhës një rregullore, e cila përcakton kërkesat mbi procedurat dhe afatet e raportimit të statistikave të normave të interesit pranë Bankës së Shqipërisë nga subjektet raportuese.
Kjo Rregullore mundëson hartimin e statistikave të normës së interesit në përputhje me standardet evropiane.
Aktualisht, Banka e Shqipërisë mbledh, harton dhe publikon statistika të normave të interesit aplikuar nga bankat për sasitë e reja të depozitave dhe kredive, sipas afateve, për individët dhe korporatat jofinanciare, por me rregulloren e re synohet të shtohet gama e këtyre statistikave.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat ndeshet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.