Deklarimi i tatim-fitimit, DPT: Dorëzimi i pasqyrave financiare vetëm elektronikisht

Të gjithë bizneset duhet të dorëzojnë pasqyrat financiare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri në fund të muajit Mars.
Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, administrate tatimore njofton bizneset se për deklarimin tatimor dhe llogaritjen përfundimtare të tatimit mbi fitimin, tatimpaguesi është i detyruar të dorëzojë brenda datës 31 Mars të vitit 2017, formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me udhëzim. Ky formular plotësohet në përputhje me shënimet sqaruese dhe dorëzohet vetëm elektronikisht në administratën tatimore bilancin kontabël së bashku me anekset e tij, që konkretisht janë:
- Bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali);
- Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve;
- Pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow)
- Aneksi për shpjegimet shpjeguese
- Raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë (kur ky raport kërkohet në zbatim të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009 “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, Neni 41 “Personat juridikë që detyrohen për auditimin ligjor të pasqyrave financiare”, apo akteve nënligjore).
Në udhëzimin e tatimeve është përcaktuar dhe dokumentacioni shtesë i kërkuar, i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare si:
- Kontratat e qirasë për ambientet e marra me qira, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi.
- Gjendjen e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2016 (analitik).
- Inventarin e mjeteve të transportit në pronësi.
- Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale
Pasqyrat financiare (pasqyrat e aktivit, pasivit dhe kapitalit), pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow), pasqyra e aktiveve afatgjata materiale, do të dorëzohen elektronikisht në version PDF (të skanuara) dhe në version Excel.
Në udhëzim sqarohet se pasqyrat financiare të dorëzuara në version PDF (të skanuara) detyrimisht do të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga administratori i shoqërisë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.