Deklarimi i të ardhurave personale, qytetarët ende të painformuar! Flet për “SCAN Magazine” Elisabeta Katiaj, nëndrejtore e Tatimeve

Shumica e qytetarëve ende nuk kanë njohuri rreth deklarimi të të ardhurave personale dhe detyrimit ligjor për të plotësuar formularin vjetor. Gjatë një vëzhgimi të “SCAN Magazine”, rezulton se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë fare dijeni për këtë ligj, ndërsa ka dhe një pjesë tjetër që i konsiderojnë të ardhurat e tyre si diçka private dhe konfidenciale, që nuk mund të deklarohen. Por sipas ekspertëve të ekonomisë, deklarimi i të ardhurave personale dhe familjare nga ana e qytetarëve do të ndihmojë edhe në uljen e evazionit fiskal. Deklarata personale e të ardhurave të qytetarit është një praktikë europiane dhe vendi ynë është i detyruar ta zbatojë atë.
Por kjo deklaratë nuk do të jetë pa pasoja. Mbi bazën e saj do të vendosen taksat për çdo familje. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave, përmban një sërë të dhënash dhe kategorish që duhet të plotësohen brenda formularit përkatës të saj. Të gjithë ata që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë duhet të plotësojnë formularin dhe ta dorëzojnë atë pranë tatimeve. Formulari është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë bëhet deklarimi individual i personit që ka krijuar të ardhurat.
Ndërsa në pjesën e dytë bëhet plotësimi me të dhënat shtesë të personave nën kujdestarinë e deklaruesit. Por, këtë vit Qeveria shtyu afatin e dorëzimit të deklaratës individuale të të ardhurave për efekt të pagesës së taksave, pasi gjatë këtij viti u realizua dhe Ligji i Faljes Fiskale. Por, si po realizohet ky proces? Flet për SCAN Magazine, nëndrejtore e Përgjithshme e Tatimeve, Elisabeta Katiaj.
Deklarimi i të ardhurave personale, si realizohet si proces?
Të gjithë individët rezidentë shqiptarë, që realizojnë të ardhura mbi 2.000.000 lekë, janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e përfituara gjatë vitit 2016. Procesi kryhet duke u regjistruar online me numrin e kartës së identitetit në e-filing.tatime.gov.al. Më pas plotësohet dhe dërgohet elektronikisht formulari i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave. Të dhënat që duhet të deklarohen lidhen me të ardhurat e realizuara në Shqipëri, si dhe ato jashtë saj. Gjithashtu edhe personat jorezidentë (të huaj), për të ardhurat e tatueshme të krijuara me burim në Shqipëri, kur shuma e përgjithshme e tyre është mbi 2.000.000 lekë, janë të detyruar të bëjnë deklarimin individual vjetor të të ardhurave. Afati i fundit deklarimit për këtë vit është data 2 maj 2017.
Sa është numri i deklaratave të dorëzuara te tatimet për këtë vit?
Numri i deklaratave të ardhura bëhet me dije në momentin e përfundimit të procesit, pra pas datës 2 maj.Vetëm pas plotësimit të këtij afati përgatitet raporti përfundimtar, por mund të themi që këtë vit interesi nga individët lidhur me këtë proces ka qenë i lartë ndaj dhe ne presim një rritje të numrit të deklarimeve krahasuar me një vit më parë.
Cilat janë kategoritë që përfshihen në proces?
Kategoria e detyruar të bëjë këtë deklarim janë individët, pra jo persona të cilët kanë statusin e subjektit tregtar. Për ta pasur më të qartë këtë, në formularin e kësaj deklarate janë më të përcaktuara edhe llojet e të ardhurave për të cilat duhet të deklarojnë si: pagat, shtesat mbi to e shpërblimet lidhur me marrëdhëniet e punësimit; të ardhurat nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;
të ardhurat nga qiraja; të ardhurat nga interesat bankare; fitimet nga lotaritë apo lojrat e fatit;
të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive; të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzikë apo shkencë; fitimi kapital nga dhurimi; të ardhura të realizuara jashtë territorit shqiptar.
Sa është arritur kjo kulturë fiskale? A ka një fushatë sensibilizuese për këtë proces? Sa ndikon në uljen e evazionit fiskal?
Deklarimi i të ardhurave vjetore individuale është një proces relativisht i ri, por që me kalimin e kohës dhe me fitimin e përvojës është bërë pjesë e kultures fiskale në vend. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, sidomos këtë vit, informimit të individëve me të gjitha format që ajo ka në dispozicion.
Po kështu DPT ka vepruar edhe duke e asistuar individin në përmbushje të këtij detyrimi përmes sporteleve të Shërbimit të Tatimpaguesve apo edhe Qendrës së Thirrjeve. Konkretisht gjatë gjithë 3-mujorit të parë të këtij viti, kemi informuar të gjithë individët e target-grupeve që kemi vlerësuar si potencialë në këtë grupim deklaruesish.
Përveç informimit në sportelet tona të shërbimit, me formë shkresore janë informuar pothuaj të gjithë individët në rolin e punëmarrësit, të cilët sipas të dhënave tona përfitojnë pagat apo shpërblimet mbi pragun që përcakton detyrimin për të deklaruar.
Gjithashtu sensibilizmi dhe informimi ka mbështetur të gjithë individët, aksionerët, pjesëmarrës në kapitalet e shoqërive tregtare, mbi një prag që është konsideruar i vlefshëm për këtë qëllim. Përsa i takon efekteve kundrejt evazionit fiskal, çdo deklarim i bërë në të ardhura e shpenzime, rrit transparencën e sistemit fiskal. Pothuaj të gjitha kategoritë e të ardhurave që deklarohen janë rrjedhojë e pjesëmarrjes së individëve në aktivitete fitimprurëse, të cilat efektivisht janë të taksueshme dhe vetëdeklarohen si të tilla prej tyre.
Sa janë njohur “faturat e kthyeshme” dhe a ka statistika se sa janë realizuar?
Legjislacioni njeh si shpenzime të zbritshme për efekt të deklarimit shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim për vete, për fëmijët dhe personat në kujdestari, si dhe shpenzimet për mjekim për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Nga deklarimet e deritanishme, megjithëse shpenzimet plotësohen në rubrikat e formularit, nuk ku rezultuar diferencë e tyre kundrejt të ardhurave , pra, që shpenzimet e deklaruara të jenë më të mëdha se të ardhurat. Ndaj edhe deri më tani nuk ka kërkesa të kësaj natyre nga individët.
Violeta Shqalsi/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.