Del paraja nga bursat – Investitorët tërheqin paranë me ritmin më të shpejtë që prej 2008-ës

Investitorët kanë tërhequr paranë nga fondet globale të aksioneve me një ritëm që nuk është parë që prej krizës financiare. Fondet globale të titujve të kapitalit kanë raportuar flukse të daljes prej rreth 12.4 miliardë dollarë një Qershor, një nivel që nuk është parë që prej Tetorit 2008.
Banka amerikane Lehman Brothers dështoi në Shtator të atij viti, që shkaktoi krizën ekonomike më të keqe që prej Depresionit të Madh dhe solli shitje të gjerë të aktiveve, ku indekset kryesorë në botë humbën rreth 60% të vlerës.
Dalja e kapitalit gjatë kohëve të fundit, që përfshin fondet e listuara në bursë dhe fondet e përbashkëta, vjen prej shqetësimeve se rritja ekonomike e sinkronizuar në të gjithë botën mund të shpërbëhet. Fondet e listuara në bursë që ndjekin performacën e tregjeve në zhvillim kanë patur rritje me më shumë se 18% nga Korriku 2017 deri në Janar të këtij viti, por që prej atëherë kanë pësuar rënie dhe kanë humbur 10.3% deri më tani për vitin.
Ndërkohë që tregjet në zhvillim janë gjendur përballë shqetësimeve të luftës tregtare, investitorët kanë braktisur aksionet globale dhe i janë drejtuar fondeve në SHBA, ku ka patur rritje me 6.3 mld dollarë gjatë Qershorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.