Dëmet në bujqësi – FAO dhe Ministria e Bujqësisë përfundojnë trajnimin e mbi 700 fermerëve

Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës ka organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë një program trajnimi me temë “Rikuperimi i dëmeve bujqësore dhe kthimi i kapaciteteve prodhuese”.
Programi u ndoq nga 727 fermerë, përgjithësisht nga qarku i Fierit, Beratit, Korçës, Lushnjes, Gjirokastrës dhe Vlorës, të cilat janë prekur më shumë nga reshjet e vitit 2015, që dëmtuan 10 mijë hektarë tokë bujqësore. Pjesa tjetër e ndjekësve të programit qenë 137 ekstensionistë dhe punonjës institucionesh të tjera.
Tematikat e programit u shtrinë në një gamë të gjerë si ndryshimet klimatike, rreziqet natyrore dhe praktikat për reduktimin e dëmeve.
Interesi nga ana e fermerëve për të mësuar se si të përballen me kushtet atmosferike dëmtuese ishte i lartë. Ata kërkuan shpeshtimin e programeve të tilla, të cilat t’i pajisin ata me njohuri, teknika të reja dhe masa që duhen marrë për të rritur kapacitetet e tyre prodhuese.
Nga reshjet e shumta në shkurt të vitit 2015, kur ranë 200 mm shi në tre ditë, dëmet në bujqësi përfshinë një sërë kulturash bujqësore, bimë foragjere, si dhe disa sera për prodhimin e hershëm të perimeve dhe frutave. Ndërkohë, dëmi në blegtori ishte më i vogël, dhe përbëhej kryesisht nga mungesa e ushqimit për muajt në vijim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.